Erion Veliaj gënjen sërish, kërkon ta bëjë burgun në zyrë
Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu i Durrësit me një mesazh të postuar në rrjetet sociale, duke theksuar tri pika. Të parën dhe më kryesoren se nuk i janë dhënë aktet dhe SPAK-u ka refuzuar që t’ia japë. Në fakt, një gënjeshtër që ai e çmonton vetë në fjalinë e dytë që shkruan.
Në fillim thotë se nuk i jepen letrat, por më pas thotë që u janë dhënë avokatëve të tij në formën e një USB-je. Sipas të dhënave që u publikuan në media, aktet e Erion Veliajt dhe dokumentet shkojnë rreth 60 mijë faqe, fakte dhe prova, të cilat u janë dhënë avokatëve të tij në një USB.
Avokatët siç i kanë marrë në një USB mund t’i printojnë dhe t’ia çojnë Erionit në burg që t’i lexojë.
Nuk ka pse shteti të printojë 60 mijë faqe letër dhe të ketë një kosto miliona e miliona lekë kur jemi në epokën digjitale, në kohën kur kemi qeveri digjitale, jemi në epokën e inteligjencës artificiale dhe është shumë normale që aktet të jepen në një USB në një formë digjitale dhe më pas kush i do me letër i printon, kush nuk i do i akseson në kompjuter.
Së dyti, Erioni thekson një gënjeshtër tjetër që CNA ia ka çmontuar shpesh, se nuk i lejohet të takojë avokatët e tij ndërkombëtarë. CNA ka raportuar edhe më parë se Erion Veliaj ka zyrtarizuar dy avokatët e tij, Ermir Beta dhe Artur Selmani, të cilët janë përfaqësuesit ligjorë. Sipas ligjit shqiptar lejohet të kesh dy avokatë mbrojtës.
Nuk ka arsye SPAK-u dhe gjykata të bëjnë përjashtim që Erionit t’i japin tre apo katër avokatë.
Kush është Erion Veliaj që duhet të ketë 3 apo 4 avokatë? Cili është ndryshimi?
Ndoshta mendon se është me më shumë kompetenca sesa ligji, ndoshta jeton në një tjetër univers dhe beson se ai ka të drejtë të ketë edhe 100 avokatë, por nuk lejohet.
Ligji e përcakton, dy.
CNA e ka publikuar atë që përcakton ligji dhe thekson se avokatët duhet të jenë nga BE-ja dhe jo nga SHBA-ja apo Anglia.
Se Erion Veliaj sjell avokatë jo nga BE-ja, por nga SHBA-ja dhe Anglia ky nuk është faji i SPAK-ut dhe as i prokurorëve Dumani dhe Dado, por t’i kërkojë kryeministrit të tij në detyrë, mazhorancës, të ndryshojnë ligjin, të lejojnë që të burgosurit të kenë një avokat amerikan e anglez dhe kështu me të drejtë kur t’ia japë parlamenti t’i marrë dhe le të shkojnë ta takojnë.

Pra, gënjen se e pengojnë të takojë avokatët ndërkombëtarë, ndërkohë që nuk ia lejon ligji.
Dhe e treta, që është edhe më qesharakja, është se, sipas Veliajt, SPAK-u qenka me parimin “arresto, pa heto”.
Kjo është një gënjeshtër. Hetimi ndaj Erion Veliajt ka filluar më shumë se një vit më parë, u mblodhën akte, dokumente dhe Erion Veliaj u thirr disa herë në SPAK.
Po kujtojmë sjelljen e tij para daljes nga SPAK-u, sulme, sharje, akuza. Kujtojmë dhe përgjimet pas arrestimit ku shkonte tek intrigat se prokurorët kishin kërkuar para për ta liruar e kështu me radhë.
Në fakt, gjatë hetimeve që po kryheshin për Erion Veliajn, kemi edhe një të vërtetë të madhe, është zbuluar se po prishte provat.
Klotilda Bushka, bashkëpunëtorja e tij dhe ish-kryetare e Komisionit të Ligjeve, shkoi deri te zyra e Avokatit të Popullit për të thirrur një zyrtare për t’i marrë telefonin siç veproi me një tjetër që e mësonte çfarë të deklaronte apo i prishi të dhënat që kishte në celularin e saj.
Erion Veliaj nuk është në burg sipas variantit “arresto, pa heto”.
Erion Veliaj u hetua, u kap duke prishur provat dhe më pas u arrestua me vendim gjykate që është gjetur i drejtë në të gjitha nivelet. Theksojmë në të gjitha nivelet, që nga momenti i parë për masën e sigurisë deri në vendimin e fundit të dhënë nga Gjykata e Lartë, e cila e ka quajtur të drejtë arrestimin dhe burgosjen e Erion Veliajt.
Më qesharakja që nuk është pikë, por është një nga këto këngët e vazhdueshme të Erionit, është kërkesa e tij për të shkuar në zyrë se jam i zgjedhur.
Po populli të zgjedh që të shërbesh dhe jo të shkosh të vjedhësh paratë e taksapaguesve dhe të firmosësh akte dhe urdhërpagesa që lekët, të cilat paguajnë qytetarët si taksa t’ua japësh bashkëshortes dhe familjarëve të saj duke krijuar një skemë me një zinxhir kompanish që shkon në xhepat e shtëpisë së Erion Veliajt.
Erion Veliaj kërkon të shkojë në zyrë, ndoshta mendon se kur kapesh në korrupsion dhe vepra të rënda penale burgu mund të bëhet në zyrë./ Marrë nga "CNA.al"

