DOSJA “META”/ Blushi: “Dëshmitarët kundër Metës janë pengje të SPAK-ut”! Cakrani: “AP-ja zbardhi shkeljet e arrestimit”
Në një konferencë për mediat, së bashku me avokatin e Ilir Metës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh me tone të ashpra ndaj SPAK dhe kreut të tij Altin Dumani, duke akuzuar institucionin se po përdor dëshmitarë të paqëndrueshëm për të goditur politikisht Ilir Metën.
Sipas Blushit, këta dëshmitarë janë pengje të një skenari të diktuar nga kryeministri Edi Rama, me qëllimin e vetëm për të izoluar politikisht ish-presidentin dhe kreun e Partisë së Lirisë.
“Alibia e dëshmitarëve të paqëndrueshëm kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër, veçse ata janë pengje të SPAK dhe të Edi Ramës. Ironia më e madhe është se vetë Altin Dumani që flet për intimidim, mund të akuzohet sipas këtij pretendimi si intimidues dëshmitarësh, meqë njëri prej tyre i paqëndrueshëm hyri në zyrën e tij me teserën e PL-së dhe doli me teserën e PS, madje edhe kandidat për deputet i Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare”, tha Blushi.
Ai shtoi se nuk ekziston asnjë dëshmitar që të jetë pjesë e Partisë së Lirisë dhe që të ketë fajësuar Ilir Metën për ndonjë shkelje ligjore, duke e cilësuar të gjithë procesin si një “manipulim politik”.
“Të gjitha janë manipulime për të zbatuar një porosi politike të Edi Ramës që e donte Ilir Metën të izoluar në ekstrem, duke keqpërdorur SPAK si vegël për t’i mohuar atij të drejtën e ushtrimit të lartë politik, si një prej dy liderëve të opozitës”, përfundoi Blushi.
Nga ana tjeter avokati Kujtim Cakrani, foli në lidhje me ndalimin e ish-Presidentit Ilir Meta, duke iu referuar një raporti të Avokatit të Popullit që ka hetuar çështjen menjëherë pas publikimit të videos së ndalimit në media.
Sipas Cakranit, raporti në fjalë është rezultat i një hetimi gjashtëmujor dhe përfshin rekomandime të qarta për Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lidhur me shkeljet në procedurën e ndalimit.
Ai shtoi se përgjigjet që Policia e Shtetit i ka dhënë Avokatit të Popullit shmangin përgjegjësinë publike.
"Unë do të ndalesha së pari te hetimi administrativ që ka kryer Avokati i Popullit menjëherë pasi ka parë në media videon se si është rrëmbyer ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Avokati i Popullit ka zhvilluar një hetim gjashtëmujor dhe para disa ditësh, na ka vënë në dispozicion edhe rekomandimet, pra, gjetjet që ai ka konstatuar dhe rekomandimet që i ka bërë Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lidhur me mënyrën e arrestimit.
Pa dyshim që në këtë raport, Avokati i Popullit shprehet me gjuhë juridike dhe nuk mund të thotë se ka ndodhur një “rrëmbim”, por e cilëson si një mënyrë të padrejtë ligjore arrestimi. Sepse, nëse do të përdorte termin “rrëmbim”, kjo do të ishte fatale, prandaj ai është kujdesur që të qëndrojë brenda kornizës juridike.
Nuk e di nëse ju si media, e dispononi këtë raport, i cili është rreth 25 faqe, dhe në hetimet që ka kryer Avokati i Popullit është treguar shterues, që nga momenti i arrestimit e deri më sot.
Për të ardhur keq është përgjigjja që Policia e Shtetit ka kthyer në këtë raport, si dhe drejtori i përgjithshëm, i cili në këtë shkresë i është përgjigjur pyetjeve të Avokatit të Popullit me tentativa për ta mashtruar jo vetëm atë, por edhe opinionin publik.
Që nga momenti kur policia është urdhëruar nga prokuroria për të ekzekutuar vendimin e datës 20 tetor 2024, Policia e Shtetit, si asnjëherë më parë ka mobilizuar forcat e policisë kriminale dhe mënyra se si është organizuar ky operacion ka qenë totalisht represive.
Sikur të kishim të bënim me një bandit apo organizatë terroriste. Policia ka angazhuar struktura të saj të paidentifikuara, si të ishte fjala për ndonjë person të rrezikshëm me precedentë kriminalë, jo për një ish-president.
Po flasim për nivele që i kalojnë edhe standardet e një shteti me prirje autoritare. Policia, e cila duhej të paraqitej me urdhrin e ekzekutimit dhe me letrën e të drejtave që parashikon Kodi dhe Kushtetuta, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kanë vepruar vetëm me uniformë policie, pa u identifikuar me emër, numër policie, apo pa prezantuar urdhrin e ekzekutimit të lëshuar nga gjykata.
Në këto kushte, Ilir Meta, duke marrë parasysh edhe raste të tjera ku qytetarë janë rrëmbyer nga persona me uniformë policie, nuk ka reaguar ndaj tyre, për arsye se nuk i është vënë në dispozicion as urdhri i ekzekutimit dhe as letra e të drejtave, ” – përfundoi Cakrani, duke kërkuar hetim të mëtejshëm për rastin dhe transparencë të plotë ndaj publikut.


