VIDEO/ Me qindra njerëz mblidhen në varrimin e dy motrave që vdiqën në aksidentin tragjik
Këto janë pamjet që vijnë nga ajri gjatë varrimit të dy motrave Elvisa dhe Rozina Dhimaku, të cilat ndërruan jetë ditën e djeshme nga një aksident tragjik.
Sikurse mund të shihet edhe nga këto pamje të siguruara nga helikopterët Viva, në varrimin e tyre kanë marrë pjesë qindra njerëz.
Dy vajzat janë përcjellë për në banesën e fundit sot pas aksidentit tragjik, ku motrat po shkonin tek vëllai i tyre që ishte në spital.
Ishte pikërisht Kevi Norra, 23-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mbrëmjen e djeshme në Sarandë është arrestuar.
Pas testit të alkoolit, rezultoi se Norra, i cili punon si specialist në Ministrinë e Brendshme, drejtonte automjetin tip "Audi" në gjendje të dehur. Policia e Sarandës bëri me dije se testi i parë i alkoolit tregoi nivelin 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë 1.42 mg/l.
Duke tentuar një parakalim të gabuar, automjeti i tij është përplasur kokë më kokë më makinën tip "Lancia" në të cilën ishin tre vajza. Përplasja rezultoi fatale për dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, përkatësisht 22 dhe 20 vjeçe.
Ndërkohë nga aksidenti mbeti e plagosur edhe 24-vjeçarja Antolena Zhupa. Kjo e fundit ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
23-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
