Himarë - Lanë jahtin dhe po lundronin me gomone në bregdetin e Qeparoit, shpëtohet çifti i turistëve gjermanë që rrezikoi mbytjen!
Mbrëmjen e djeshme, dy turistë gjermanë u bllokuan në det pranë zonës së Qeparoit, Himarë, pasi mjeti i tyre lundrues gomone u pengua nga era e fortë dhe ata nuk mundën të vazhdonin lundrimin.
Pas njoftimit të policisë u shpëtuan Berhard Michael, 70 vjeç dhe Ute Dorothea, 63 vjeçe, të cilët u transportuan me siguri në portin e Himarës.
Ngjarja ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së djeshme, rreth orës 22:00, kur Salla e Komisariatit të Policisë Himarë mori një njoftim për dy persona që kërkonin ndihmë në zonën bregdetare të Qeparoit.
Njoftimi:
Himarë/Policia Kufitare në Himarë u vjen në ndihmë dy turistë gjermanë që kishin mbetur në det me një mjet lundrues gomone.
Policia Kufitare në Himarë, mbrëmjen e djeshme, pasi mori njoftim për dy shtetas që kishin mbetur në det me mjet lundrues gomone dhe për shkak të erës së fortë nuk mundeshin të vijonin lundrimin, shkoi menjëherë në ndihmë të tyre, në zonën e ????Qeparoit.
Pas lokalizimit të tyre, shërbimet e Policisë Kufitare bënë të mundur nxjerrjen e dy turistëve gjermanë, të sigurt, në Portin e Himarës.

