FOTO-LAJMI/ Ja kush është Dorian Beu që u kap sot në malin e Tomorit, 46-vjeçari ishte në kërkim për trafik dr*ge e grup kriminal

Ora News ka siguruar foton e Dorian Beut, 46-vjeçarit që u kap në malin e Tomorit pasi ishte në kërkim si pjesë e një grupi trafiku droge. Ndaj tij, GJKKO kishte dhënë masën e sigurisë arrest në burg.

Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të përbërë prej 18 personash që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka pasur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, nga viti 2015 e në vijim.

46-vjeçari është pjesë e grupit të trafikut të drogës të goditur nga SPAK në dhjetor të vitit 2023, i cili akuzohet për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash.

FOTO-LAJMI/ Ja kush është Dorian Beu që u kap sot në malin e
Dorian Beu

Në dhjetor 2023, GJKKO caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për anëtarët e kësaj bande të drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, pjesë e të cilit ishte edhe Dorian Beu.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal” informoi sot policia.

Në 2023, SPAK informonte se veprimtaria kriminale e këtij grupi ishte zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim, në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike. 

Nga veprimet hetimore ishte bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Në 2023, me vendimin e GJKKO, iu vunë në sekuestro 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi, në emër të Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 60”.

Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.

Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.