Arne Slot i mahnitur nga italiani: I gjatë, i shpejtë, i fortë dhe madje i bukur... Ja pse e blemë kaq shtrenjtë
Liverpooli ka gjetur një tjetër talent për mbrojtjen dhe trajneri Arne Slot nuk e ka fshehur entuziazmin për të.
Bëhet fjalë për Giovanni Leonin, mbrojtës i ri italian i transferuar nga Parma për rreth 30 milionë euro, i cili pas vetëm tri stërvitjesh ka lënë mbresa të mëdha tek tekniku holandez.
Me humor, Slot nisi fjalët e tij duke thënë:
“Giovanni Leoni? Është një djalë i bukur, si shumica e italianëve”.
Por më pas, tekniku theksoi se nuk ishte vetëm pamja e tij ajo që kishte rënë në sy:
“Është stërvitur me ne vetëm tri herë.
Kur sheh sa kemi paguar për të, pret që të jetë më i pjekur se mosha e tij dhe pikërisht këtë gjë kam parë. Është vetëm 18 vjeç, por duket sikur ka qenë këtu prej kohësh.
Është mbresëlënës për nga gjatësia, shpejtësia dhe qetësia me topin. Ka një arsye pse e kemi paguar kaq shumë: tek ai shohim një lojtar me një të ardhme të madhe.
Ka punuar shumë mirë në këto seanca të para dhe kjo tregon diçka edhe për grupin tonë, sepse çdo i ri ndihet menjëherë si në shtëpi.”
Një investim për të ardhmen, por edhe për të tashmen
Edhe pse vetëm 18-vjeçar, Leoni shihet si një element që mund të ketë rol të menjëhershëm.
Aktualisht, pas dyshes titullare Virgil van Dijk – Ibrahima Konaté, alternativa kryesore është Joe Gomez, një lojtar me eksperiencë, por që shpesh pengohet nga dëmtimet.
Kjo situatë mund t’i hapë rrugë Leoni-t që të ketë shansin e tij në fushë shumë shpejt.
Slot e sheh atë si një investim afatgjatë, ndoshta për ta shndërruar në pasardhësin e Van Dijk, por në të njëjtën kohë nuk përjashtohet që italiani të marrë minuta edhe në këtë sezon.
Leoni, një profil i kompletuar
Cilësitë fizike, shpejtësia dhe aftësia për të luajtur me qetësi me topin e bëjnë Leonin një profil të përsosur për futbollin modern.
Liverpooli ka besim se nën drejtimin e Slot, ai mund të zhvillohet në një nga mbrojtësit më të mirë të brezit të tij.
