De Zerbi, dëshmitar i grushteve mes Rowe dhe Rabiot: Kurrë s’kam parë një sherr të tillë
Trajneri italian, Roberto De Zerbi ka folur hapur në konferencë për shtyp lidhur me episodin e ndodhur në dhomat e zhveshjes pas humbjes ndaj Rennes, ku Adrien Rabiot dhe Jonathan Rowe u përfshinë në një përplasje fizike.
“Për herë të parë në karrierë nuk dija çfarë të thosha apo çfarë të bëja,” tha ai.
Deklarata e De Zerbit erdhi si përgjigje ndaj reagimit të nënës së Rabiot, e cila e quajti ngjarjen një “montim për ta shitur Adrien një vit para skadimit të kontratës”, si dhe pas fjalëve të presidentit Pablo Longoria që kishte folur për një situatë të paprecedentë.
Ish-trajneri i Brighton sqaroi:
“Kam luajtur futboll për shumë vite dhe jam në këtë botë prej më shumë se 30 vitesh.
Nuk jam mësuar të flas për gjërat që ndodhin në dhomën e zhveshjes, por këtu duhej vendosur rregull.
Çfarë ndodh në një vend pune kur dy punonjës zihen dhe sherri përfundon si në një pub, përpara trajnerit e drejtorit sportiv, me një lojtar të shtrirë pa ndjenja në dysheme dhe që duhen ndarë nga sigurimi?
Çfarë duhet të bëjë klubi? Dy janë zgjidhjet: ose pezullim, ose largim.”
De Zerbi theksoi se vendimi për të nxjerrë jashtë grupit Rabiot e Rowe nuk ishte vetëm i tij:
“Nuk isha unë i vetmi që vendosa për Rabiot, por unë isha ai që e bëra kapiten në Paris dhe e mbrojtja nga tifozët e PSG-së.
Kam treguar më shumë kujdes për të sesa për djalin tim.
Nëse Adrien do të ishte djali im, do të kisha vepruar njësoj.
Ai mendon se vendimi ishte shumë i rëndë, por e morëm për të mirën e dhomës së zhveshjes dhe të ekipit.
Ne e duam Adrien-in, por duhet të mendojmë për OM.
Sepse nesër luajmë pa Rabiot e Rowe dhe pasojat i vuajmë ne. Por unë nuk e humbas dinjitetin për një kampionat apo një ndeshje futbolli.”
Më pas, ai dha detaje nga sherri:
“Është e vërtetë që nuk pati dhëmbë të thyer, por kurrë nuk kam parë diçka të tillë.
Për herë të parë nuk dija çfarë të bëja.
Këto gjëra i kisha parë vetëm në rrugë, kur isha i ri. Para meje ishte Darryl Bakola i shtrirë pa ndjenja, ndërsa të tjerët ziheshin për një ndeshje. Kjo më zemëroi jashtë mase.”
Përfundimi i tij ishte i prerë:
“E thashë, në fushë duhet të tregosh guximin, forca duhet treguar aty, jo duke goditur shokun tënd.
Në dhomën e zhveshjes unë i dëgjoj të gjithë, përpiqem të vendosem në vendin e tyre, por askush nuk mund të më shkelë, as mua, as klubin.
E dini që gjithmonë u përgjigjem pyetjeve me ndershmëri. Duhet të mbroj shoqërinë time dhe mbi të gjitha të vërtetën.”
