Ancelotti kritikon FIFA-n: Jemi të mirëpaguar, ndaj nuk na duan në tavolinë

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka ngritur zërin kundër FIFA-s dhe UEFA-s lidhur me mbingarkesën e ndeshjeve në futbollin modern.

Në një intervistë për ‘Il Giornale’, ish-tekniku i Real Madridit nuk kurseu kritikat për kalendarin e stërngjeshur dhe pasojat që sjell ai për lojtarët.

“Po, luajmë shumë dhe keq. Futbolli sot është më analitik, më intensiv, më i shpejtë, por FIFA dhe UEFA duhet të rishikojnë kalendarët.

Janë shumë ndeshje, jo të gjitha me cilësi, dhe ka shumë dëmtime”, – u shpreh Ancelotti, duke treguar hapur shqetësimin e tij për numrin e madh të lëndimeve që prekin futbollistët.

Italiani propozoi edhe zgjidhje konkrete:

“Më duket një ide e mirë që kampionatet të reduktohen nga 20 në 18 skuadra. Do të shmangeshin përballjet me pak interes dhe shpenzimet do të ishin më logjike.

Por duhet arritur një marrëveshje mes palëve, gjë që deri tani nuk ka ndodhur.”

Në intervistë, Ancelotti theksoi gjithashtu se trajnerët dhe lojtarët shpesh nuk kanë zë në këtë temë, duke u përgjigjur me tone kritike:

“Ne jemi të paguar më shumë se të gjithë, ndoshta prandaj nuk na duan në tavolinë.”

Modric dhe sfida e re te Milani

Një nga pyetjet lidhej edhe me ish-lojtarin e tij te Real Madrid, Luka Modric, i cili tashmë është pjesë e Milanit. Ancelotti, që ka qenë vetë lojtar dhe trajner i kuqezinjve, u shpreh me fjalë të ngrohta për kroatin:

“Kam folur me të, do t’i bëjë tifozët të kënaqen, do të lërë gjurmë në Serinë A. Është i lumtur me vendimin e marrë, e di që mund të shkojë në Botëror. Është një profesionist absolut, vitin e kaluar nuk humbi asnjë stërvitje.”