Nëna e Rabiot shpërthen ndaj De Zerbi-t: Vetëm leh, Benatia nuk është në nivel
Veronique Rabiot, nëna e mesfushorit francez Adrien Rabiot, ka dhënë deklarata të forta në Francë, duke reaguar pas përjashtimit të djalit të saj nga Marseille pas sherrit në dhomat e zhveshjes me Jonathan Rowe.
Klubi francez vendosi t’i nxirrte jashtë grupit dhe në merkato të dy lojtarët.
Nëse sulmuesi anglez Rowe ka gjetur menjëherë ekip të ri, Bologna-n, ish-mesfushori i Juventusit është ende në kërkim të një skuadre.
Veronique Rabiot akuzon drejtuesit e Marseille se kanë ekzagjeruar situatën:
“Drejtuesit folën për një dhunë të paprecedentë, por nuk pati hundë të thyer, buzë të çara dhe askush nuk përfundoi në spital. Asnjë dhunë e madhe, asnjë i plagosur. Gjithçka është një montim.
Nëse episodi do të kishte qenë kaq serioz, do të duhej ta kishin pezulluar Adrien-in.
Në fakt, është vetëm një pretekst për ta nxjerrë në merkato një vit para përfundimit të kontratës dhe për të fituar para.
Në futboll, kur nuk kuptohet çfarë po ndodh, gjithmonë janë paratë pas” – tha ajo për RTL dhe La Provence.
Më pas, akuzat e saj u drejtuan ndaj krerëve të klubit, nga presidenti te drejtori sportiv e deri te trajneri:
“Nuk janë në nivel dhe nuk mund të japin shembull. Longoria sillet si një menaxher lojtarësh, jo si president.
Për çfarë respekti flet, kur bërtiste ‘korrupsion, korrupsion’ për të kritikuar arbitrat?
Benatia u pezullua për muaj të tërë për kritikat ndaj arbitrave. Sa për De Zerbin, ai thotë se ndihet i tradhtuar, por është Adrien ai që ndihet i tradhtuar.
Thotë se nuk ka parë asgjë në dhomën e zhveshjes, por është gjithmonë ai që ulërin dhe leh.
Dhe nëse i dha një shans të dytë Greenwood, i cili kishte dhunuar gruan, mund t’ia jepte edhe Adrien-it.”
