E zbulon Trump: Shorteu i Botërorit 2026 do të zhvillohet në ‘Kennedy Center’ të Washington-it

Shorteu i Kupës së Botës 2026 do të mbahet në ‘Kennedy Center’ të Uashingtonit, më 5 dhjetor, konfirmoi të premten presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Duke e quajtur atë “ngjarja më e madhe, ndoshta më e madhja në sport”, Trump bëri njoftimin nga Zyra Ovale, i ulur pranë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Ai mbante një kapele me mbishkrimin “Trump kishte të drejtë për gjithçka” ndërsa u fliste gazetarëve.

Më herët gjatë ditës, Trump kishte lënë të kuptohej për këtë lajm, duke zbuluar se organizatorët e Botërorit do të vendosin zyrën e tyre qendrore brenda ‘Kennedy Center’, një qendër kulturore ikonike që është duke iu nënshtruar një rinovimi prej 257 milionë dollarësh gjatë mandatit të tij.

Trump e ka përshkruar projektin si pjesë të festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve vitin e ardhshëm.

Botërori i vitit 2026, që do të organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, do të jetë i pari në histori me 48 ekipe dhe 104 ndeshje.

Kanadaja do të presë 13 takime, mes tyre 10 ndeshje grupesh në Toronto dhe Vancouver.

Edhe Meksika do të organizojë 13 ndeshje, kryesisht në Mexico City, Guadalajara dhe Monterrey.

Ndërkohë, 78 ndeshjet e tjera do të shpërndahen në 11 qytete amerikane.

FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, ka forcuar tashmë praninë e saj në SHBA përpara këtij Botërori të zgjeruar, duke hapur zyra në Miami dhe në ‘Trump Tower’ në Nju Jork.