Arabia Saudite e shqetësuar për Gazën pas raportit të OKB-së për urinë

Arabia Saudite tha të premten se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën humanitare në Rripin e Gazës, pasi një raport i mbështetur nga OKB-ja konfirmoi për herë të parë krizën e urisë në një zonë të territorit të shkatërruar nga lufta.

“Katastrofa humanitare që po përkeqësohet në Gazë është një rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mekanizmave të parandalimit dhe llogaridhënies për krimet e përsëritura të pushtimit izraelit”, tha Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë.

Monarkia e pasur me naftë e quajti këtë katastrofë një stigmë për komunitetin botëror dhe bëri thirrje për një veprim të menjëhershëm ndërkombëtar për të ndryshuar situatën.

Në një raport të publikuar nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) tha se ka prova të arsyeshme se uria ka ndodhur në Guvernatoratin e Gazës, një rajon administrativ që përfshin Qytetin e Gazës, që nga 15 gushti.

Në një reagim, Autoriteti Palestinez (AP) me qendër në Bregun Perëndimor akuzoi Izraelin se po përdor urinë si armë kundër civilëve palestinezë.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, AP bëri thirrje për një veprim “të vendosur” botëror kundër Izraelit për t’u dhënë njerëzve në Rripin e Gazës – qasje në ndihma të qëndrueshme.