Shkëndija përmbys Ludogoretsin, me një këmbë në fazën e grupeve të Europa League

Mbrëmje historike në Tetovë, ku Shkëndija arriti një fitore të madhe ndaj Ludogorets në ndeshjen e parë të play off-it të Europa League, duke triumfur me rezultatin 2-1.

Skuadra bullgare kaloi e para në epërsi në minutën e 17-të, kur Deroy Duarte shfrytëzoi një pasim perfekt dhe mposhti portierin e Shkëndijës me një goditje të saktë në këndin e majtë.

Megjithatë, djemtë kuqezi reaguan fuqishëm dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 35-të.

Pas një goditjeje dënimi nga distanca, Liridon Latifi lëshoi një predhë të pandalshme që përfundoi në cepin e sipërm të djathtë, duke ngritur në këmbë gjithë stadiumin.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në fraksionin e dytë Shkëndija vazhdoi me ritëm të lartë.

Në minutën e 60-të, pas një aksioni të shkëlqyer ekipor, Besart Ibraimi u gjend në pozicion ideal dhe me një goditje të ulët e të saktë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-1.

Fillimisht arbitri anglez Chris Kavanagh priti konfirmimin nga VAR për vlefshmërinë e golit, por pas rishikimit ai u miratua, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.