Kush është Alexander Stubb, presidenti finlandez që ka krijuar lidhje të ngushta me Trumpin?

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, mbërriti të hënën në Shtëpinë e Bardhë së bashku me udhëheqës të tjerë evropianë për të marrë pjesë në takimin mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Stubb, i cili mori detyrën më 1 mars 2024 dhe shërben në mandatin e tij të parë, ka zhvilluar një marrëdhënie të veçantë me Trumpin.

Ai ka luajtur golf me presidentin amerikan në mars, ku diskutuan çështje që lidhen me Ukrainën.

Presidenti finlandez ka shprehur skepticizëm për qëllimet e Presidentit rus Vladimir Putin dhe për gatishmërinë e tij për të respektuar armëpushimet dhe për të negociuar një përfundim të luftës.

Sipas Politico, prania e Stubb në takime mund të ndihmojë në parandalimin e përplasjeve të mundshme midis Trump dhe Zelensky, të ngjashme me ato gjatë vizitës së udhëheqësit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.

Qëllimi kryesor është gjithashtu të sigurohet se udhëheqësit evropianë do të përfshihen në çdo diskutim të mundshëm pasues, duke forcuar koordinimin ndërkombëtar.

Politico e ka cilësuar Stubbin si “një nga bashkëbiseduesit e preferuar të Trumpit”.

Megjithëse dy liderët kanë pasur dallime politike në lidhje me luftën në Ukrainë, Stubb dhe Trump kanë ndërtuar një raport personal gjatë vizitës së zgjatur në Florida, ku presidenti amerikan i dhuroi Stubb një komplet golfi.

Vërejtjet e Stubb pasqyruan shqetësimet e mëparshme që ai kishte shprehur në dritën e ndërveprimit historik të Finlandës me Rusinë:

"Disa nga mediat ndërkombëtare mund të pyesin veten, e dini, pse është presidenti i Finlandës këtu?

Mendoj se arsyeja është ndoshta sepse ne mund të vijmë nga një vend i vogël, por kemi një kufi të gjatë me Rusinë mbi 800 milje.

Dhe ne, sigurisht, kemi përvojën tonë historike me Rusinë... Dhe nëse shoh anën pozitive të asaj se ku ndodhemi tani, gjetëm një zgjidhje në vitin 1944 dhe jam i sigurt se do të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje në vitin 2025 për t'i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë." - u shpreh ai.