Benet Beci ultimatum agjencive funerale: Ceremonitë mortore jo më në zonat e populluara të Shkodrës. Keni afat deri më ...
Prania e Agjencive Funerale dhe aktiviteteve të tyre, shpesh të vendosura pranë shkollave, banesave apo përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, ka qenë prej kohësh një shqetësim i vazhdueshëm për komunitetin e Shkodrës.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, bashkia Shkodër ka ndërmarrë masa konkrete për ta zgjidhur këtë problem, duke vendosur rregulla të reja për funksionimin e tyre.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri sot të ditur se “25 shtatori është afati i fundit për zbatimin e këtyre rregullave”.
Pas kësaj date, subjektet që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara do të ndalohen të ushtrojnë aktivitetin në mjediset përkatëse.
Beci theksoi se sipas rregullores, nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në Qendrën Historike të Qytetit, që përfshin rrugët: “Gjuhadol”, “Kolë Idromeno”, “13 Dhjetori”, “28 Nëntori” dhe përgjatë rrugës “Hamz Kazazi”.
“Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në godina banimi shumëfamiljare apo në shtesat e tyre. Objektet duhet të jenë të paktën 50 metra larg nga institucionet arsimore. Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në ambiente të përbashkëta të përdorura nga subjekte të tjera. Automjetet e shërbimit funeral nuk mund të qëndrojnë apo të parkohen në hapësira publike”, thuhet më tej në rregulloren e miratuar për këtë rast.
Beci falënderoi për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që kanë treguar një pjesë e këtyre subjekteve, të cilat tashmë kanë nisur përshtatjen me rregulloren e re.


