“Avionët nuk janë një fjalë goje”, Rama: Udhëtoj gjithmonë në klasin ekonomik

Në një bashkëbisedim në Facebook me publikun, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pretendimeve se udhëton me avion privat, ndërkohë që shteti nuk ka avionë për shuarjen e zjarreve.

“Po të kishim vetë avionët tanë do ishte më mirë, por kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje.

Disa pa mendje kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë dhe qeveria paskemi blerë avionë për vete.

Nuk ka asnjë avion të blerë për vete.

Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë”, tha Rama.

“Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe janë të verifikueshme.

Avioni i përdorur për udhëtimet zyrtare nuk i ka kushtuar dhe nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë se sa shumatorja e shpenzimeve mesatare të kryera çdo vit nga Kryeministri i Shqipërisë, përfshirë, me nder jush, edhe paraardhësin tim”, shtoi kreu i qeverisë.