Raporti i DASH, PL: Konfirmoi alarmin e ngritur mbi lirinë e medias pas sulmeve sistematike nga qeveria
Partia e Lirisë duke iu referuar raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka ngritur shqetësimin mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme, Brunilda Haxhiu duke folur në konferencë tha se raporti i DASH, konfirmoi alarmet e përsëritura të organizatave vendase dhe ndërkombëtare: liria e medias është nën një sulm të drejtpërdrejtë dhe sistematik nga qeveria.
Haxhiu theksoi se raporti nuk është një rast i izoluar, duke shtuar se ai vjen pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme nga Komisioni Europian, OSBE, Reporterët pa Kufij dhe organizata të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë evidentuar rritjen e presionit politik, ekonomik dhe ligjor mbi mediat e pavarura.
Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri konfirmon alarmet e përsëritura të organizatave vendase dhe ndërkombëtare: liria e medias është nën një sulm të drejtpërdrejtë dhe sistematik nga qeveria.
Ky raport nuk është një rast i izoluar, ai vjen pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme nga Komisioni Europian, OSBE, Reporterët pa Kufij dhe organizata të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë evidentuar rritjen e presionit politik, ekonomik dhe ligjor mbi mediat e pavarura.
Ngjarjet e ditëve të fundit me zaptimin e paligjshëm të televizionit News 24 janë dëshmi konkrete të këtij realiteti të hidhur. Neës 24 është viktima e radhës, pas mbylljes arbitrare të Agon Channel dhe goditjes së Ora Neës, një skenar i përsëritur, i orkestruar nga pushteti për të shuar zërat kritikë.
Marrja me forcë e kompjuterave dhe dokumenteve të gazetarëve, që përmbajnë hetime mbi aferat më të mëdha korruptive të qeverisë, nuk është vetëm shkelje flagrante e të drejtës për informim, por edhe një akt kërcënues që vë në rrezik jetën e gazetarit dhe të burimeve të tij.
Pjesa për Shqipërinë në raportin e DASH thekson qartë se organizatat e pavarura mediatike dhe gazetarët profesionistë kanë pohuar se qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente. Raporti shënon se:
●Ka pasur raportime të besueshme për përfaqësues të lartë të mediave që kanë përdorur platformat e tyre për të shantazhuar biznese, duke kërcënuar me raportim negativ.
●Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar pavarësinë e mediave, duke nxitur vetëcensurën.
●Mungesa e kontratave të zbatueshme të punës ka ulur pavarësinë e gazetarëve dhe ka kontribuar në njëanshmërinë e raportimit.
●Interesat politike dhe të biznesit kanë ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi gazetarët, duke përfshirë mesazhe kërcënuese dhe fushata publike të njollosjes pas raportimeve mbi korrupsionin dhe keqpërdorimet e qeverisë.
●Në mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi publikisht kryeministrin për gjuhë frikësuese ndaj një gazetari që po hetonte investimet në turizëm.
Ky realitet përkon me vlerësimet e Komisionit Europian, i cili ka evidentuar se pronësia e tregut mediatik është përqendruar në pak duar, pronësia e shumë portaleve fshihet pas kompanive fantazmë, ndërsa fondet publike dhe reklamat shtetërore shpërndahen në mënyrë klienteliste vetëm për mediat që mbështesin qeverinë.
Rritja alarmante e padive strategjike (SLAPP) kundër gazetarëve, nga 42 raste në vitin 2022 në 73 raste në vitin 2023, tregon përdorimin e gjykatave si armë për të heshtur çdo zë kritik.
Ky veprim nuk është thjesht një shkelje e të drejtës për informim, është një strategji frikësimi dhe shkatërrimi të gazetarisë investigative. Sot, Shqipëria është vendi ku gazetari trajtohet si armik, jo si garant i demokracisë, dhe ku informacioni i pakëndshëm për qeverinë ndëshkohet me forcën e policisë dhe prokurorisë.
Në një vend kandidat për në Bashkimin Europian, praktika të tilla janë të papranueshme.
Ne i bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve perëndimorë të reagojnë me vendosmëri, të monitorojnë nga afër situatën dhe të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme për gazetarët dhe mediat e pavarura.
Liria e medias është themeli i çdo shoqërie demokratike, sepse siguron transparencë, përgjegjësi dhe llogaridhënie të pushtetit.
Ajo nuk është thjesht e drejta e gazetarëve për të raportuar, por e drejta e qytetarëve për të marrë informacion të saktë dhe të paanshëm.
Kur mediat pengohen, censurohen ose sulmohen, jo vetëm që cenohet puna e gazetarit, por dëmtohet e gjithë shoqëria: Mbrojtja e lirisë së medias është mbrojtja e demokracisë, e shtetit ligjor dhe e të drejtave themelore të çdo qytetari.
