Manastirliu inspekton investimin e ri në Universitetin e Sporteve: Do të ketë standarde të reja me pistë atletike dhe fushë futbolli
Universiteti i Sporteve do të ketë një pistë të re të atletikës dhe një fushë futbolli. Ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu në inspektimin e punimeve theksoi angazhimin për realizimin e standardeve që iu nevoiten të rinjve.
“Ky investim është ndër më të rëndësishmit që ne po bëjmë për Universitetin e Sporteve, i cili do t’u shërbejë jo vetëm studentëve të këtij universiteti, por gjithashtu jam e bindur që do t’i shërbejë komunitetit dhe përgatitjes së sportistëve elitarë dhe patjetër edhe brezave të rinj. Kjo është një fushë e cila po rikualifikohet tërësisht. Tashmë puna ka filluar dhe një pjesë e punimeve janë kryer si në fushën e futbollit, në pistën e atletikës, ashtu edhe në nëndisiplinat përkatëse.”
Punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit, ndërsa Manastirliu shprehet se do të ketë edhe projekte të tjera.
“Deri në nëntor e përmbyllim kë investim dhe vitin e ardhshëm vijojmë investimet për të krijuar mundësinë që të gjitha disiplinat të kenë standardet më të mira në funksion të aspekteve didaktike, akademike por edhe atyre praktike dhe me kërkimin shkencor që po e mbështesim përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.”
Ministrja theksoi se stafi pedagogjik duhet të angazhohet për zhvillimin e kërkimit shkencor ku projektet më të mira do të marrin dhe financimet.
