Abdixhiku pas vendimit të Kushtetueses: Një fitore e madhe e demokracisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur.

“Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK. Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Votimi i fshehtë nuk pranohet”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku tha se Kosova ka humbur kohë që nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt.

“Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje. Dritë, megjithatë do të ketë”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur.

Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë.

Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.