Protesta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, Ali Ahmeti i bashkohet tubimit në Prishtinë
Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, po merr pjesë këtë pasdite në protestën që po mbahet në sheshin qendror të Prishtinës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së dhe në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
Mediat në Kosovë raportojnë se Ahmeti është parë teksa i bashkohet protestës i shoqëruar nga Ramiz Lladrovci. Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati.
“Kombi ynë, historikisht ka qenë i bashkuar, që një trup i vetëm, kur ne na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Sot, si një trup kemi këtu, për të kërkuar liri për çlirimtarët, që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Kemi dalë për të kërkuar të drejtën tonë. UÇK ka bërë luftë të drejtë, luftë për liri, luftë për çlirimin nga pushteti. UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë. Lufta e saj ishte vetëm çlirimi. Serbia po bën gjithçka për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo po përpiqet të përmbysë çdo arritje në Kosovë”, theksoi ai.
