E Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Prishtinë takim me Kurtin

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Anu Prattipati u takua sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të nënvizuar nevojën urgjente që liderët politikë të Kosovës të marrin përgjegjësi dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur ngërçin institucional të vazhdueshëm.

Ajo theksoi se një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të zgjedhin lirisht përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive politike legjitime, qoftë përmes taktikave politike apo pengesave procedurale, kërcënon integritetin e procesit demokratik, ka thënë ajo, thuhet në një postim të Ambasadës së SHBA-së në Facebook.

E Ngarkuara Prattipati u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të shkojnë përtej përçarjeve dhe të përmbushin mandatin që u është besuar nga populli i Kosovës.

E Ngarkuara me Punë e Anu Prattipati ka takuar gjatë kësaj jave edhe liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Kosova ndodhet në ngërç politik tash e sa muaj për shkak të mos konstituimit të Kuvendit të ri.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 8 gusht, e cila ndalon çdo veprim të deputetëve për konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas skadimit të afatit tridhjetë ditorë më 26 korrik.