Receta mjekësore e unifikuar, Urdhri i Mjekut: Parandalon ndikimet e kompanive farmaceutike

Prej datës 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik ka hyrë në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe, receta e unifikuar parandalon influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike në ekzekutimin e recetave.

“Mos harrojmë se nga koha e Covid është vënë re një lëshim recetash nga firmat farmaceutike, blloqet e recetave me emrat tregtar të ilaçeve, gjë që lind përshtypjen ose e një dyshimi të arsyeshëm për bashkëpunimin mjek-farmacist. Miratimi i këtij formati e shmang këtë lloj dyshimi dhe e vë në shina më të rregullta lëshimin e medikamenteve drejt farmacive dhe ekzekutimin e ilaçeve”, tha Trepçe në një intervistë televizive.

Sipas Trepçes, “farmacistët do penalizohen nëse do kapen në shkelje të këtij urdhri dhe këtij formati”. Receta e re ka lehtësuar shumë daljet e të sëmurëve kronikë të cilëve tanimë procedura u thjeshtohet

“Me këtë lloj recete mjeku mund të lëshojë recetë për të sëmurët kronikë deri në 6 muaj pa detyrimin që ata të paraqiten”, shtoi Trepçe.

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara farmacisti do të duhet të shënojë ilaçet që i ka dhënë pacientëve, sasinë e marrë dhe datën duke e firmosur edhe vulosur.

Ky model i unifikuar i recetës mjekësore sjell më shumë siguri për pacientët dhe më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.