Manastirliu: Mbi 27 mijë tekste të shpërndara në vende të ndryshme ku mësohet gjuha shqipe

Mbi 27 mijë tekste janë shpërndarë për nxënësit e shkollave dhe klasave të gjuhës shqipe anembanë botës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Manastirliu tha se këtë vit janë shpërndarë 70% më shumë se një vit më parë.

“Këtë vit kemi gati nivelin II të tekstit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, tashmë i standardizuar, ndërsa niveli III për klasat 7-8-9 ka përfunduar dhe do të jetë në duart e nxënësve duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor”, theksoi Manastirliu.

Sipas saj, po bëhen gati paketat librat që do të dërgohen në ato shtete ku po nxitet mësimi i gjuhës shqipe.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “janë rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës ku mësohet gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen me gjuhën amtare dhe rrënjët tona tek brezat e rinj”.

Manastirliu vuri në dukje se “kemi bërë të mundur të rrisim numrin e mësuesve, të cilët janë të trajnuar dhe kualifikuar përmes seminareve të përbashkëta me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe për të garantuar që më shumë mësues të jenë pjesë e këtij rrjeti”.

“Të gjithë mësuesit, nxënësit dhe prindërit këto botime i gjejnë në formë digjitale edhe në faqen e Qendrës së Botimeve të Diasporës”, tha ministrja.

MAS po investon akoma më shumë në drejtim të fuqizimit, ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe në diasporë.