Ekzekutimi i Gentian Bejtjas, arrestohet në Vlorë Flodian Plaku
Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, ka rënë në prangat e Policisë së Vlorës këtë të diel (3 gusht 2025). Arrestimi është kryer në Vlorë nga policia e qytetit bregdetar dhe drejtoria e Krimeve të Rënda.
Flodian Plaku dyshohet si një nga 3 atentatorët e vrasjes së Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në fshatin Larushkë të Krujës. Mësohet se Plaku është pjesë e grupeve të Vlorës. Sipas burimeve dyshohet se Plaku ka vepruar si vrasës me pagesë.
Nga hetimet e Policisë ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë.
Pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin.
“Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volksëagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë”, njoftoi policia 1 vit më parë.
Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volksëagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambientet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Ëalther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare”.
Më datë 19.03.2024, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumentave” parashikuar nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal, si dhe ndalimi i shtetasit Edion Haxhiu, 30 vjeç, për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumentave, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave të tjerë si autorë të kësaj ngjarje.

