Bankers dhe Ismailajt e Albstar, mjeshtrit e faturave fiktive! Nafta rridhte, xhepat fryheshin
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aferën e madhe financiare të “Bankers Petroleum”. Sipas dokumenteve zyrtare, “Albstar” rezulton të jetë një nga përfituesit kryesorë të skemës mashtruese të fryrjes së shpenzimeve dhe pastrimit të parave, duke përfituar vetëm në vitin 2011 rreth 22 milionë euro nga “Bankers”. Këto shuma janë përfituar përmes faturimeve fiktive për shërbime që nuk janë kryer kurrë, në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar.
Në shtator të vitit 2016, Idajet Ismailaj themeloi një kompani të re ndërtimi me familjen e tij, fillimisht të regjistruar si “Reas 16” dhe më pas me emrin “IR shpk”. Përmes kësaj kompanie, janë qarkulluar qindra mijëra euro të përfituara nga “Bankers”, duke e rritur xhiron e firmës në 6 milionë euro dhe fitimet në rreth 2 milionë euro, sërish me fatura të falsifikuara.
Një detaj tjetër është se Idajet dhe Sadik Ismailaj, pronarët e “Albstar”, i kishin vendosur vetes një pagë mujore prej 85 mijë euro secili shifër që kap rreth 2 milionë euro në vit.
Prokuroria e Fierit ka lëshuar 14 masa sigurie për vepra penale si “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Krijimi i skemave mashtruese të TVSH-së” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Deri tani janë ekzekutuar 9 masa sigurie, përfshirë administratorin aktual të “Bankers Petroleum Albania Ltd”, Hongping Xiao, dhe ish-administratorin Leonidha Çobo, ndërsa 5 shtetas të huaj janë ende në kërkim.
Ndërkohë, nga hetimi rezulton se kompania “Bankers” nuk ka paguar tatime për mbi 20 vite aktivitet, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme rezervat e naftës në Patos-Marinëz dhe duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm me vlerë miliona euro përmes rimbursimeve të padrejta të TVSH-së dhe shmangies së tatimit mbi fitimin.
