EMRAT/ Pl*gosje me a*më zjarri në Borsh, i riu q*llon shokun pas debatit
Një plagosje me armë zjarri dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në fshatin turistik të Borshit.
Është plagosur një i ri, të cilin fatmirësisht plumbi e ka kapur në dorë, duke shmangur pasoja më të rënda që mund të kishin qenë edhe fatale.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal jo shumë larg nga aksidenti i djeshëm, ku dy shokë po konsumonin alkool. Sipas dëshmive, pas një debati mes tyre, njëri prej të rinjve banues në Tepelenë, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij nga Kruja duke e plagosur.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit. Personi i lënduar është transportuar në spital ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi:
Borsh, Himarë/Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shoqërohet në Polici autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një shtetasi, pas një konflikti të ndodhur në Borsh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në një lokal në Borsh, rreth orës 02:20 të datës 31.07.2025, janë angazhuar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje.
Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi Hekuran Çelaj, ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin Erald Shullazi, 33 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar, shtetasi Hekuran Çelaj, 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt.
Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
