Xhihani: Mungon punësimi i rregullt, të rinjtë zgjedhin të zezën për të ardhura të shpejta

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, eksperti i punësimit Arbër Xhihani ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të papunësisë te të rinjtë, që mbetet dy herë më i lartë se mesatarja kombëtare, ndërsa theksoi tendencën në rritje drejt punës së paregjistruar dhe profesioneve joformale.

" Po ti referohemi statistikave, për fat të keq shikohet se kemi një nivel papunësie të lartë tek të rinjtë shqiptar.

Akoma dhe në vitin 2025, pavarësisht disa përpjekjeve për të pasur angazhime të shtuara pikërisht kësaj kategorie, duke qenë se gjithmonë edhe në të kaluarën, papunësia në kategoritë të të rinjve shqiptarë ka qenë 2 fish krahasimisht me nivelin e papunësisë në shkallë kombëtare.

Kjo besoj bazohet edhe në disa problematika matëse sepse pikë së pari kemi një punësim të vazhdueshëm të të rinjve edhe në të zezë, pra nuk kemi një sistem të rregulluar për punësimin e të rinjve, duke qenë se janë punonjës që angazhohen gjatë sezonit veror apo gjatë pushimeve nga shkolla dhe gjithashtu është vënë re dhe një rënie e dëshirës së të rinjve për tu angazhuar pikërisht në këto forma punësimi pasi priren të angazhohen në forma të tjera punësimi apo ushtrimi të një shërbimi, pavarësisht se nuk është e rregulluar me ligj, por i garanton disa të ardhura të menjëhershme apo krahasimisht të larta nëse do të ndjeki një rrugëtim profesional.

Gjithashtu shikohet se vitet e fundit ka pasur një prirje të rinjve të nxitur drejt profesioneve apo arsimit profesional, që mendoj se do ti jap frytet e saj pas disa vitesh", u shpreh Xhihani.