EMRI/ Qarkullonte me k*llashnikov, kapet në flagrancë 44-vjeçari
Një 44-vjeçar është arrestuar në Delvinë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar një armë zjarri dhe municion luftarak në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi në zonën e quajtur “Blerimas”, ku u ndalua një automjet tip “Toyota” me drejtues shtetasin Eqerem Sorra, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë. Të gjitha materialet u sekuestruan si prova, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndon akuza për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Kontrolle intensive në zbatim të planit të masave për sigurinë gjatë sezonit veror, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Delvinë, operacioni policor i koduar “Ngarkesa”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonte me armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve intensive të ndërmarra nga strukturat e komisariateve të Policisë Sarandë dhe Delvinë me mbështetjen dhe të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fokus të veçantë qytetet e Sarandës dhe Delvinës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e shtetasve në kërkim dhe kontrollin e shtetasve me precedent penal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Ngarkesa”.
Gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
Eqerem Sorra, 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
