“BANKERS”-i, KRIM SHTETËROR/ Kapri: 6 miliardë dollarë naftë e nxjerrë dhe në arkën e shtetit shqiptar nuk shkon asnjë kacidhe. Dosjen ta marrë SPAK-u

Një nga skandalet më serioze që ka goditur sektorin e energjisë në Shqipëri po del në dritë. Prokuroria e Fierit ka zbardhur një aferë të përmasave të mëdha ku rezultojnë të përfshirë dhjetëra persona me profil të lartë – përfshirë zyrtarë shtetërorë, politikanë, drejtues institucionesh, biznesmenë, të cilët të gjithë dyshohen se kanë përfituar ose kanë qenë të lidhur me veprimtari korruptive në bashkëpunim me kompaninë Bankers Petroleum.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se pas një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar, Bankers Petroleum i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.

Për të kuptuar më shumë mbi përmasat e këtij skandali dhjetëra vjeçar, Erald Kapri, deputet i zgjedhur i forcës politike “Mundësia” i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” të moderatores Beti Njuma në “Ora News” u shpreh se fatkeqësisht historia e Bankersit hapi këtë lojën tipike të koncesioneve korruptive në Shqipëri që në nisje.

“Në 2004-ën, qeveria “Nano” që ishte në kohën e largimit të saj nga pushteti gjen këtë kompaninë e panjohur kanadeze dhe i jep me kushte thuajse fare të pafavorshme kontratën për shfrytëzimin e vendburimit të naftës atje.

Ky debat u bë dhe atëherë si nga opozita, ashtu edhe në media. Ishte një kontratë, e cila dihej që në fillim që nuk do të sillte asnjë përfitim shtetit apo njerëzve dhe me gjithë këto kundërshtime ajo u miratua.

Vijmë sot, 21 vite më pas, ku zbulojmë që janë mbi 6 miliardë dollarë naftë e nxjerrë dhe në arkën e shtetit shqiptar nuk shkon asnjë kacidhe.

Ndaj kjo nuk është një thjesht një histori korrupsioni dhe abuzimi, është një krim shtetëror. Bëhet fjalë për 3 qeveri të përfshira në këtë periudhë kohore.

Bankersi ka shumë probleme, ku një ndër to ajo e shfrytëzimit të hidrokarbureve në Shqipëri pjesa më e madhe është off-shore. Ne nuk e dimë kush janë pronarët e vërtetë.

Edhe ndryshimi i pronësisë është një skandal në vetvete, edhe pranimi i kompanisë kineze është cenim i sigurisë.

Sepse sektorët kyçe si telekomunikacioni, bankat, apo nafta duhet të jenë me vende që janë aleatë të NATO-s ku është dhe Shqipëria. Dhe nuk e kuptoj se si shteti shqiptar nuk reagoi kur papritur ndryshoi pronësia e kompanisë.

Dhe duke qenë në këto kushte ku kemi një kompani që nuk duhet të shihet si një histori abuzimi, por krimi shtetëror, duhet të hetohet nga SPAK-u”, theksoi ndër të tjera deputeti i zgjedhur Erald Kapri.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”