Shoqëronte Ervis Martinajn, gjykata rrëzon rekursin e Jeton Lamit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jeton Lamit, ish-efektivit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe njëherësh miku i Ervis Martinajt.

Gjykata ka lënë kështu në fuqi dënimin me 2 vite e 10 muaj burgim nga Gjykata e Lezhës për shpërdorim detyre.

Lami u arrestua pasi u filmua duke shoqëruar Martinajn, i cili në gusht të vitit 2022 u shpall i zhdukur teksa ishte person në kërkim ndërkombëtar.

Ish-agjenti i forcave operacionale u arrestua më 24 gusht 2022, pasi sipas policisë afërsia e tij me të shumëkërkuarin dekonspironte operacionet.

Sipas komunikatës zyrtare të policisë, Lami e shoqëronte Martinajn me makinë.

Më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar.

Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.

Jeton Lami refuzoi ofertën e Prokurorisë së Posaçme për të bashkëpunuar mbi gjetjen e Martinajt.

Ai preferoi të “kyçë” gojën dhe të mos zbulojë se çfarë ndodhi me Martinajn.