Opozita kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në Elbasan e Fier/ Ja kur pritet shqyrtimi nga Kolegji Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë në datat 23 dhe 24 korrik dy qarqet e fundit ku kërkohet pavlefshmëri i zgjedhjeve të 11 majit nga opozita.

Bëhet fjalë për Fierin dhe Elbasanin, ndërsa do të vijohet edhe me qarkun e Durrësit, për të cilin nuk pati vendim nga trupa gjykuese gjatë seancës së 20 korrikut.

Qarku Elbasan dhe Fier janë të fundit të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor, që është hallka e fundit ligjore ku Partia Demokratike mund të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve të 11 majit.

Qarku i Fierit do të shqyrtohet në 23 korrik, për të vijuar një ditë më pas me qarkun e Elbasanit.

Në datën 24 po ashtu do të vijohet edhe me ankimimin e qarkut të Durrësit, e cila u shty nga kolegji për shkak se Partia Demokratike pretendoi se ka patur parregullsi lidhur me procesverbalet por edhe me kodet e sigurise.

Për të tre qarqet me kërkesë të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve u zhvillua rinumërimi i votave, por procesi nuk solli asnjë ndryshim.

Por kjo nuk solli ndryshim në qëndrimin e PD që kërkon pafleshmëri duke akuzuar për përdorim të administratës, përdorim të të ashtuquajturit trenit bullgar etj.

Në Fier, PS fitoi bindshëm me 12 mandate ndërsa opozita arriti të marrë vetëm 4.

Në qarkun e Elbasanit ishte përsëri partia socialiste fituese me 10 mandate  ndërsa Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 4 mandate. Ndërsa në durrë rezultati 8 me 6 në favor të së majtës.

Pas shqyrtimit në Kolegjin Zgjedhor, i hapet rruga Kryekomisionerit Ilirian Celibashi që t’i shpërndajë mandatet kandidatëve të cilët dolën fitues nga zgjedhjet e 11 majit. Deri më tani kolegji ka rrëzuar pd për ankimet ne 9 qarqet e tjera.