Asnjë pagesë për e-albania/ Balluku: Sportele në çdo bashki dhe njësi administrative
Në të gjitha bashkitë e vendit dhe njësitë administrative tashmë janë hapur zyrat për të ndihmuar falas personat që kanë vështirësi për të marrë shërbimet në e Albania. Zëvendëskryeministria Belinda Balluku gjatë takimit të zhvilluar në fier theksoi se do të ketë masa ndaj noterëve që kanë marrë para për veprimet e kryera.
Prej disa ditësh në të gjitha bashkitë e vendit si dhe në njësitë administrative janë hapyr zyrat e shërbimit ku çdo person mund të kërkojë ndihmë për të kryer shërbimet në e Albania. Masat u morën pas denoncimeve se në zyrat noteriale për këto veprime merrej pagesë.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku inspektoi masat në bashkinë Fier ku theksoi edhe një herë se shërbimet aty janë falas .
“Drejtohuni në qendrat që kanë hapur bashkitë, ose edhe në njësitë administrative , sepse i keni të gjitha atje pranë. Ne kemi dalë të gjithë në terren, për ta prezantuar. Abuzim nëse shikoni qendra avokatie që e ofrojnë këtë shërbim me pagesë, sepse është një abuzim i rëndë”, tha Belinda Balluku.
Së bashku me kryetarin e bashkisë Armando Subashi theksoi se shpejt do të bëhen publike masat ndaj noterëve që kanë marrë pagesë.
Balluku shtoi se E Albania është e krijuar për më shumë lehtësi dhe jo për kosto.
Të premten e shkuar kryeministri edi rama në takimin me kryetarët e bashkive theksoi se sportelet do të duhet të jenë në të gjithë vendin për tu dhënë asistencë personave që kanë vështirësi.
