Goditet grupi pro-rus që sulmoi komuna të lidhura me samitin e NATO-s, Operacioni 'Eastwood' ndërpret rrjetin kibernetik
Një operacion i koordinuar ndërkombëtar, i koduar “Eastwood”, ka goditur një rrjet të krimit kibernetik pro-rus, duke çmontuar infrastrukturën që fshihej pas një sërë sulmesh ndaj institucioneve perëndimore, njoftoi të mërkurën Europol.
Objektivi kryesor ishte grupi NoName057(16), i cili besohet se ka qenë pas sulmeve të mohimit të shërbimit (DDoS) që goditën komuna dhe organizata të lidhura me një samit të NATO-s në Holandë.
Sipas agjencisë policore të BE-së, rrjeti kishte zgjeruar veprimtarinë e tij edhe në vende të tjera si Suedia, Gjermania dhe Zvicra, duke shënjestruar entitete që mbështesin Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus.
Hetimi i përbashkët çoi në ndërprerjen e mbi 100 sistemeve kompjuterike në të gjithë botën, ndërsa një pjesë e madhe e infrastrukturës qendrore të serverëve u nxor jashtë funksionit.
Autoritetet gjermane lëshuan gjashtë urdhër-arreste për persona që dyshohet se ndodhen në Rusi, përfshirë dy udhëheqës të dyshuar të grupit, të cilët janë përfshirë tashmë në listën “Më të Kërkuarit në Evropë” të Europolit.
Po ashtu, një i dyshuar u arrestua në Francë dhe një tjetër në Spanjë, ndërsa FBI-ja ka bashkëpunuar ngushtë në operacion.
Europol thekson se NoName057(16) përbëhet kryesisht nga simpatizantë rusishtfolës që përdorin mjete të automatizuara për të ndërmarrë sulme DDoS, pa pasur ndonjë strukturë të mirëorganizuar ose ekspertizë teknike të thelluar.
Pavarësisht kësaj, grupi konsiderohet i rrezikshëm për shkak të motivimit ideologjik dhe përpjekjes për të penguar infrastrukturën e vendeve mbështetëse të Ukrainës.
Forcat e zbatimit të ligjit në vendet e përfshira në operacion kanë kontaktuar qindra persona që besohet se e kanë mbështetur grupin, duke i paralajmëruar për përgjegjësitë e tyre të mundshme penale.
Ky operacion paraqet një sinjal të fortë për grupet e organizuara që synojnë të destabilizojnë rendin ndërkombëtar përmes sulmeve kibernetike.
