Kievi kërkon takim mes liderëve, ministri i Jashtëm Sybikha: Ukraina e gatshme për bisedime të reja paqeje me Rusinë

Ukraina është e hapur për rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, deklaroi sot ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, gjatë një vizite zyrtare në qytetin Lublin të Polonisë.

Ai tha se Kievi mbetet i gatshëm për negociata në çdo format dhe në çdo vend, por nuk dha ndonjë datë konkrete për zhvillimin e tyre.

Sybiha theksoi gjithashtu nevojën për një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit të Ukrainës dhe atij të Rusisë, duke e cilësuar si një hap vendimtar drejt arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, Kremlini reagoi mbi çështjen e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke e cilësuar si një prioritet të axhendës së tij.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, presidenca ruse po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe dërgesat e armëve drejt Kievit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se furnizimi me armë për Ukrainën është bërë një “biznes” dhe disa shtete evropiane “do të paguajnë çmimin” për përfshirjen e tyre në këtë proces.

Peskov shtoi gjithashtu se, megjithëse nuk është planifikuar një telefonatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, një komunikim i tillë mund të ndodhë shpejt nëse lind nevoja.

Ndërkohë, sipas një burimi të cituar nga agjencia Reuters, një takim mes shteteve që disponojnë sisteme raketore Patriot dhe vendeve donatore për Ukrainën pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme.

Qëllimi i takimit do të jetë sigurimi i sistemeve të tjera mbrojtëse ajrore për Ukrainën, ndërsa diskutimet do të drejtohen nga komandanti i lartë ushtarak i NATO-s.