Portret i rrallë i Mahatma Gandhit shitet mbi 200 mijë dollarë në një ankand në Londër

Një portret i rrallë i Mahatma Gandhi është shitur në një ankand në Londër për 152,800 paund britanikë, 204,648 dollarë. Shuma është shumë më e lartë se çmimi i parashikuar prej 50,000-70,000 paundësh britanikë i shpallur nga shtëpia e ankandeve Bonhams.

Piktura me vaj u pikturua në vitin 1931 nga artistja britaniko-amerikane Claire Leighton kur Gandhi vizitoi Londrën. Përshkrimi i portretit thotë se piktura besohet të jetë i vetmi portret me vaj për të cilin pozoi Gandi.

Mahatma Gandhi udhëhoqi një lëvizje rezistence paqësore kundër sundimit britanik në Indi dhe mësimet e tij kanë frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën. Shumica e indianëve e adhurojnë atë si "babain e kombit".

Artistja Claire Leighton u takua me Mahatma Gandhin kur ky i fundit vizitoi Londrën për Konferencën e dytë të Tryezës së Rrumbullakët, e cila u mbajt për të diskutuar reformat kushtetuese për Indinë dhe për të adresuar kërkesat e saj për vetëqeverisje.

Leighton ishte një nga të paktët artistë të pranuar në zyrën e tij dhe iu dha mundësia të ulej me të shumë herë për të skicuar dhe pikturuar imazhin e tij. Në nëntor të vitit 1931, Claire Leighton ekspozoi portretin e saj të Gandhit në një ekspozitë në Galerinë Albany në Londër. Gazetarja Winifred Holtby, një mikeshë e artistes, mori pjesë në hapje dhe shkroi për ngjarjen në rubrikën e saj javore për revistën e sindikatës The Schoolmistress mw 26 nëntor 1931).

Holtby komentoi mbi aftësinë e Leighton për të kapur humorin, humanitetin, thjeshtësinë personale dhe hollësinë intelektuale të Gandhit në këtë portret të veçantë, sipas përshkrimit të Bonhams. Vepra mbeti në koleksionin e artistes deri në vdekjen e saj në vitin 1989 në SHBA, ku iu la trashëgim familjes së saj.