Mohoi dhe ofendoi lypësit në Kubë! Ministrja e Punës dorëhiqet pasi tha janë njerëz që “kërkojnë para qyl”

Ministrja e Punës në Kubë dha dorëheqjen pas kritikave të forta për deklaratën se në vendin komunist nuk ka lypës dhe se njerëzit kërkojnë në plehra për “para qyl”. Komentet e saj u cilësuan fyese dhe të shkëputura nga realiteti i varfërisë në vend, duke shkaktuar reagim nga presidenti dhe shoqëria civile në shtetin ishullor

Ministrja Kubane e Punës, Marta Elena Feitó-Cabrera, është detyruar të japë dorëheqjen pasi mohoi ekzistencën e lypësve në ishullin e drejtuar nga komunistët.

Anëtarja e qeverisë kishte deklaruar se në Kubë nuk ekzistojnë "lypës" dhe se personat që kërkojnë nëpër plehra, në thelb, e bëjnë këtë me zgjedhje për të fituar “para lehtë”

Feitó-Cabrera i bëri komentet në fillim të kësaj jave gjatë një seance të Asamblesë Kombëtare, ku foli për njerëzit që lypin dhe kërkojnë nëpër kazanët e plehrave në Kubë.

Për më tepër, ajo akuzoi personat që kërkonin në plehra se ishin “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin e riciklimit.”

Një grup aktivistësh dhe intelektualësh kubanë publikuan një letër ku kërkonin shkarkimin e saj, duke thënë se komentet ishin “një fyerje për popullin kuban.”

Presidenti kuban më pas kritikoi Feitó-Cabrera-n gjatë seancës parlamentare  megjithëse pa e përmendur me emër  duke thënë se udhëheqja nuk mund të “veprojë me përçmim” apo të jetë “e shkëputur nga realitetet” e popullit.

Ministrja më pas u detyrua të dorëhiqet akt që u pranua nga Partia Komuniste Kubane dhe qeveria.

Ndërkohë që qeveria kubane nuk publikon të dhëna zyrtare mbi numrin e personave që lypin, shtimi i tyre është bërë i dukshëm për shumicën e kubanëve, përballë krizës së thellë ekonomike që ka goditur ishullin.

Niveli i varfërisë dhe mungesa e ushqimeve është përkeqësuar në Kubë, ndërsa vendi po përballet me një krizë të rëndë ekonomike.