“Jemi policia” - Kushëriri u shkëmbye me autorët e ngjarjes, babai i Renis Dobrës tregon bisedën e fundit me të birin: Në komisariat…
Babai i Renis Dobrës, në një prononcim ekskluziv për “Më Zemër të Hapur” në News24, ka rrëfyer detaje në lidhje me natën kur ndodhi ngjarja që i mori jetën të birit.
Ai ka treguar se ka qenë nipi i tij që e ka marrë në telefon për t’i treguar se Renisin e kishte marrë policia, ndërsa vetëm pak minuta më parë ai është shkëmbyer me autorët, të cilët i kanë kërkuar të largohej pasi janë hequr si efektivë.
“Nipi më ka telefonuar në orën 22:03 minuta dhe më tha dajë ku je, shpejto se policia ka kapur Renin. Menjëherë dola dhe u nisa drejt Burrelit me nipin sepse mendova se ma ka kapur policia.
Shkuam në komisariat. I pyeta nëse ma kishin kapur me makinë por më thanë që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Mora në telefon 129 dhe më thanë që do të më njoftonin ata. Nipi im është afruar para se të më merrte mua në telefon dhe i kanë thënë ‘ik shpejt se jemi policia’”, tha ai.
Babai i 23-vjeçarit ka treguar bisedën e fundit me të birin. Ai ka zbuluar se Renisi i kishte thënë se po vinte në shtëpi, gjë që nuk ndodhi kurrë.
“Gjendja e bashkëshortes time është shumë e rëndë. Falenderojmë policinë për punën. Jam personi i fundit që ka komunikuar me djalin.
Të martën kemi folur bashkë për herë të fundit në orën 21:36 minuta. Me tha Babi po nisem për në shtëpi. I thash mirëardhsh.
Renisi po vinte për në shtëpi nga qyteti i Burrelit, një distancë që zgjat rreth 5 kilometra, por djali nuk më mbërriti kurrë në shtëpi”, tha ai.


