Kthyen burgjet në “harem” për të dënuarit! Nis kontrolli në qeli, emërohen dy drejtues të rinj
Pas publikimit fillimisht në Ora News të fakteve se të dënuar me vepra të rënda penale kanë pasur vizitore speciale në qeli, në kundërshtim me ligjin, Drejtoria e Burgjeve ka nisur një inspektim të brendshëm në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend!
Në burgjet e vendit mësohet se janë zhvilluar kontrolle blic gjatë natës, të cilat kanë vijuar edhe këtë të mërkurë.
Verifikime janë kryer në qelitë e disa personave që kanë marrë dënime të formës së prerë, si dhe që ndodhen në kushte paraburgimi.
Përveç kontrollit për sende të jashtëligjshme, është bërë edhe këqyrje e kartelave të takimeve private të disa të burgosurve.
Ndërkohë, janë kryer dy lëvizje në drejtimin e institucioneve.
Altin Ago është emëruar në krye të burgut të Peqinit, ndërsa Qazim Hoxha në krye të burgut të Bradasheshit në Elbasan.
Pritet që brenda kësaj jave të ketë rokadë edhe në burgun e Shkodrës.
Siç ka raportuar më herët Ora News, në burgun e Drenovës, i dënuari me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu kishte zhvilluar takime speciale me një vajzë nga Kosova, në kundërshtim me rregullat e burgjeve.
Gjatë një operacioni të mëhershëm, këtij të dënuari i ishte gjetur dhe sekuestruar një aparat celular me të cilin dyshohet se komunikonte me persona jashtë.
Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe në burgun e Reçit me anëtarë të grupit kriminal “Bajri”.
Sipas procedurës, takimin special mund ta kryejë vetëm një person me të cilin i dënuari është celebruar.

