“Naftë, Ndërtime dhe Drejtësi për Vete”– Skandali i heshtur i Prokurorit Sokol Malaj
Një prokuror, një perandori nafte dhe asnjë konflikt interesi?!
A eshte ky një Prokuror me 1 Milion Euro Kapital – Skandal që trondit besimin në drejtësi
Sokol Malajt, ish-prokuror në Tiranë, është një skenar i pabesueshëm që sfidon çdo pritshmëri të drejtësisë dhe etikës publike.
Në vend që të ishte një garant i ligjit, Malaj ndërtoi në heshtje një pasuri të konsiderueshme përmes një kompanie nafte dhe ndërtimi, ku figuron me 50% të aksioneve në “Oleum Transport”. Vetëm në 8 vite, kjo kompani rriti kapitalin në mbi 1 milion euro, ndërkohë që flota e saj e kamionëve u shumëfishua nga 9 në afro 60 mjete të rënda.
A mundet një prokuror, që duhet të jetë i përkushtuar ndaj ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik, të jetë bashkëpronar i një kompanie që operon në një sektor si nafta – një nga më të dyshuarit për korrupsion dhe lidhje me krimin ekonomik?
A është normale që një përfaqësues i drejtësisë të ketë ndërtuar një aktivitet të tërë tregtar, ndërkohë që në dokumente figuron “aksioner pasiv”, ndërsa në realitet jep hua, blen apartamente, firmos për zgjerime aktiviteti dhe cakton përfaqësues të afërmit e tij të afërt?
Kjo nuk është më thjesht një mungesë etike. Është një model i rrezikshëm për drejtësinë.
Kjo situate eshte arsyetuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili e shkarkoi Malajn, duke theksuar se ai kishte cenur besimin e publikut, por në thelb të vendimit qëndron një absurditet: si mund të ndodhë që për një gjyqtar që s’justifikon 150 mijë lekë ndëshkimi është i menjëhershëm, ndërsa një prokuror me pasuri miliona euro, me biznese aktive në tregun e naftës dhe ndërtimit, trajtohet ende me kujdes të veçantë?
Çudia që bëhet rregull
Malaj pretendoi se kishte marrë hua 10 milionë lekë nga vëllai për të blerë një apartament. Por KPK zbuloi se:
* Transaksionet ishin kontradiktore dhe të pasakta.
* Vëllai i tij nuk kishte të ardhura të ligjshme për të dhënë këtë shumë.
* Shlyerja e huas ishte deklaruar në mënyrë të pasaktë.
* Pagesa për apartamentin ishte bërë drejtpërdrejt nga vetë Malaj.
Për më tepër, ai justifikoi pasurinë me ndihma nga familjarët – një praktikë që është refuzuar me forcë në dhjetëra raste të tjera të vetingut.
Në këtë rast, duket se është harruar një e vërtetë e thjeshtë: prokurori nuk mund të jetë njëkohësisht edhe pjesë e drejtësisë, edhe një biznesmen që konkuron në tregun e hidrokarbureve dhe ndërtimit.
Nëse një zyrtar që duhet të ndjekë shkeljet ligjore i lejon vetes të zhvillojë biznes nafte dhe pasuri të paluajtshme, atëherë kemi një sistem që prodhon jo drejtësi, por bashkëjetesë të errët mes pushtetit dhe parasë.
Konkluzion: A do të jetë ky rasti i reflektimit, apo një tjetër precedent i frikshëm?
Rasti Malaj është më shumë se një shkelje. Është një këmbanë alarmi për sistemin e drejtësisë dhe integritetin e vetingut.
Nëse edhe për një rast të tillë, me biznese të fuqishme, pasuri të pajustifikuar dhe lidhje të qarta familjare e financiare, sërish do të kërkohen justifikime teknike – atëherë sistemi është më shumë i trembur nga ndikimi i individit sesa i përkushtuar ndaj mbrojtjes së ligjit.
Ky nuk është më test për Malajn – është test për KPA-në, për sistemin e drejtësisë dhe për besimin që qytetarët kanë tek reforma.

