Njihuni me formacionin ideal të Kupës së Botës për Klube
SHBA - FIFA zbuloi këtë të hënë formacionin ideal për Kupën e Botës për Klube , i cili përfundoi dje me fitoren e Chelseat në finalen e mbajtur në New York.
Në portë, i zgjedhuri është Bono, portieri maroken nga Al-Hilal, një nga ekipet surprizë të turneut, ndërsa dyshja qendrore përbëhet nga dy bashkatdhetarë, kapitenë, miq dhe shokë skuadre për shumë sezone: Thiago Silva (Fluminense) dhe Marquinhos (PSG).
Mbrojtësit e krahut janë Achraf Hakimi nga PSG, dhe Cucurella nga Chelsea, një maroken dhe një spanjoll.
Mesfusha dominohet nga “Blutë”.
Enzo Fernández, Palmer dhe Pedro Neto janë përfshirë si partnerë të Vitinhas, për të cilin askush nuk dyshonte se do të ishte pjesë e këtij formacioni.
Formacioni ideal për Kupën e Botës kompletohet nga Jhon Arias dhe argjentinasi Gonzalo, golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni , i cili vetëm brenda pak javësh ka spikatur me Real Madridin në një vitrinë globale.

