Shefi i NVIDIA: Teknologjia amerikane s’është thelbësore për fuqinë ushtarake të Kinës

Drejtori ekzekutiv i NVIDIA-s, Jensen Huang, ka deklaruar se Kina nuk ka nevojë të përdorë teknologjinë amerikane apo çipat gjysmëpërçues të kompanisë së tij për të trajnuar inteligjencën artificiale për qëllime ushtarake.

Në një intervistë për CNN, Huang tha se Kina “thjesht nuk mund të mbështetet” te teknologjitë amerikane, pasi këto mund t’i ndalohen “në çdo moment”.

Ai theksoi se vendi ka zhvilluar qindra superkompjuterë për trajnim të modeleve të IA-së, duke shtuar se tashmë zotëron një fuqi të konsiderueshme llogaritëse.

Në lidhje me garën globale për dominim në fushën e inteligjencës artificiale, Huang u shpreh se nuk ka rëndësi nëse chatbot-i i përdorur në mbarë botën është kinez apo amerikan, por shtoi se për “shpirtin amerikan” është e natyrshme të kërkojë të jetë lider në teknologjinë kompjuterike.

Komentet e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar tregtar mes SHBA-së dhe Kinës.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me tarifa të reja ndaj aleatëve dhe konkurrentëve, në përpjekje për të mbështetur ekonominë amerikane.

Huang i quajti këto veprime “jo një qëllim, por një taktikë”, që në fakt dëmton ndikimin global të teknologjisë amerikane, përfshirë gjuhët e programimit dhe bazat e të dhënave që qëndrojnë në themel të shumë aplikacioneve softuerike.

Ai krahasoi përplasjen teknologjike mes dy fuqive me ndalimin e eksporteve të mineraleve të rralla nga Kina drejt SHBA-së, duke theksuar se kjo e fundit u detyrua të zhvillojë zgjidhje të reja vendore.

Megjithatë, produktet gjysmëpërçuese të prodhuara jashtë SHBA-së janë përjashtuar përkohësisht nga tarifat, edhe pse Trump ka kërcënuar të vendosë taksa të reja ndaj tyre.

Aktualisht, Kina përballet me një normë tarifore prej 30% për të gjitha mallrat e saj, ndryshe nga propozimi fillestar i administratës Trump prej 125%.

Ndërkohë, NVIDIA shënoi një arritje historike javën e kaluar duke u bërë kompania e parë që kap vlerësimin prej 4 trilionë dollarësh, e nxitur nga kërkesa globale për çipat që fuqizojnë inteligjencën artificiale.