BE përballet me krizë të heshtur në riarmatim: Varësia nga lëndët e para kritike rrezikon sigurinë

Bashkimi Evropian po përballet me një sfidë të thellë në përpjekjet e tij për t’u riarmatosur: mungesën e burimeve të mjaftueshme të lëndëve të para kritike, të domosdoshme për prodhimin e teknologjive ushtarake dhe industriale.

Alumini, silici, titani, nikeli, bakri e metale të rralla si germaniumi apo tantali janë përbërës jetikë të çdo tanku modern, por prodhimi vendas i këtyre materialeve në Evropë mbetet minimal – nga vetëm 1 deri në 5% të nevojave.

Brukseli ka reaguar me nxitimin e nxjerrjes dhe riciklimit vendas si dhe përpjekje për diversifikim të burimeve, por zbatimi praktik mbetet pengesë madhore.

Deri në vitin 2030, BE synon të sigurojë 10% të kërkesës përmes nxjerrjes vendase, 40% nga përpunimi dhe 25% nga riciklimi. Por sipas ekspertëve, hendeku mes ambicies dhe realitetit është ende shumë i madh.

Raporti i fundit i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike thekson se klima gjeopolitike, rreziku i një agresioni rus dhe tranzicioni energjetik kanë bërë të domosdoshme sigurimin e zinxhirit të furnizimit me materiale kritike.

Në vitet 2016–2020, BE ka qenë tërësisht e varur nga Kina për disa nga lëndët më strategjike si litiumi dhe magnezi, ndërsa vendet prodhuese kryesore mbeten Kina, Rusia, Kongo dhe Turqia.

Ekspertët paralajmërojnë se pa qasje të sigurt në këto materiale, zinxhirët e furnizimit mund të shemben, prodhimi të bllokohet dhe aftësitë ushtarake të cenohen.

Industrisë evropiane i kërkohet tani të ndërtojë kapacitete të reja vendase dhe të zgjerojë partneritetet me vende të besueshme si Australia, Kanadaja apo kombet e Amerikës Latine.

Megjithëse vende si Franca dhe Spanja kanë ndërmarrë hapa për ndërtimin e rezervave strategjike dhe sigurimin e industrisë së mbrojtjes, në nivel të BE-së mungon një strategji e centralizuar për menaxhimin e stoqeve.

Ndërkohë, Akti i Lëndëve të Para Kritike i miratuar nga Komisioni Evropian në maj 2024 mbetet një hap i rëndësishëm, por zbatimi i tij do të jetë prova e vërtetë për gatishmërinë e bllokut për të mbrojtur veten në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Sipas industrisë së mbrojtjes, qasja e sigurt dhe e qëndrueshme në lëndët e para kritike nuk është më një luks, por një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë e kontinentit dhe për të ruajtur epërsinë teknologjike të Evropës në dekadat që vijnë.