BE paraqet listën e kundërtarifave pas njoftimit të Trump
Bashkimi Evropian po përgatit kundër-tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja me vlerë 72 miliardë euro (84 miliardë dollarë), deklaroi Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, pas tarifave të reja të shpallura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
BE ende shpreson të gjejë një zgjidhje të negociuar në një mosmarrëveshje me Uashingtonin mbi çekuilibrat e dyshuara tregtare dhe kërcënimin për rritje të tarifave, si dhe të shmangë vendosjen e kundër-tarifave.
Trump njoftoi së fundmi se po vendos tarifa prej 30% për importet nga blloku që nga 1 gushti. Ministrat e Tregtisë së BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar se si t’i përgjigjen njoftimit të fundit dhe për të përgatitur kundërmasa.
Lista, e cila tani u paraqitet shteteve anëtare të BE-së, bazohet në një propozim nga Komisioni Evropian në maj dhe fillimisht mbulonte kryesisht mallra industriale dhe bujqësore me një vëllim importi prej rreth 95 miliardë eurosh.
Pas konsultimeve me kryeqytetet dhe përfaqësuesit e industrisë, lista u ndryshua. Šefčovič nuk dha asnjë detaj se cilat mallra u hoqën nga lista.
