BE-ja dhe SHBA drejt një marrëveshjeje tarifore, por tensionet tregtare mbeten të larta
Një marrëveshje paraprake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tarifore mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara shihet si e afërt, por diplomatët evropianë paralajmërojnë se sfidat reale sapo kanë filluar.
Ndërsa Brukseli përpiqet të finalizojë një pakt për uljen e tarifave, shqetësimet për të ardhmen e marrëdhënieve tregtare transatlantike dhe për një marrëveshje më të thelluar janë në rritje.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se po punohet pa ndërprerje për të siguruar një marrëveshje që mban tarifat sa më të ulëta dhe ofron stabilitet për bizneset.
Megjithatë, ajo pranoi se nuk ka vend për iluzione dhe se marrëdhëniet me SHBA-në nuk do të rikthehen në gjendjen e mëparshme.
Në pritje të një vendimi nga Presidenti amerikan Donald Trump, Brukseli po përgatitet edhe për mundësinë e tensioneve të reja.
Aktualisht, SHBA aplikon tarifa deri në 50% për çelikun dhe aluminin evropian dhe 25% për makinat, çka e ka acaruar klimën tregtare mes palëve.
Edhe pse një marrëveshje kornizë është afër, ajo shihet vetëm si një hap i parë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Të enjten më 14 korrik, ministrat e tregtisë të BE-së do të diskutojnë për hapat e mëtejshëm dhe për mundësinë e miratimit të masave hakmarrëse ndaj SHBA-së, nëse bisedimet nuk çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme.
Disa shtete anëtare si Gjermania dhe Italia kërkojnë qasje fleksibël për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa Franca kërkon që BE-ja të tregojë forcë.
Nëse nuk arrihet një përparim domethënës, Komisioni ka paralajmëruar mundësinë e rivendosjes së një pakete tarifash ndëshkuese me vlerë deri në 21 miliardë euro, e cila është aktualisht pezulluar.
Ndërkohë, diplomatët ngrenë shqetësime se marrëveshja parimore nuk do të kënaqë shtetet anëtare, veçanërisht nëse ajo nuk përmirëson ndjeshëm kushtet për eksportet evropiane.
Negociatat për sektorë strategjikë si automjetet, farmaceutika, çeliku dhe alumini mbeten të ngrira, ndërsa vendet e BE-së pritet të analizojnë individualisht se si çdo element i marrëveshjes ndikon në ekonomitë e tyre përpara miratimit përfundimtar.
