PAMJE/ Shuhet zjarri në banesën pranë Pazarit të Ri, dëme të shumta materiale
Janë shuar flakët e zjarrit në banesën e Nermin Stermasit pranë Pazarit të Ri në Tiranë.
Flakët shpërthyen pasditen e sotme, brenda banesës teksa zjarrfikësit luftuan me flakët për rreth 1 orë.
Tani në zonë ka vetëm tym, prej zjarrit që ra në shtëpinë dy-katëshe.
Nuk dihen ende arsyet e rënies së zjarrit, por bëhet me dije se asnjë person nuk ka mbetur i lënduar nga flakët por ka dëme të shumta materiale.
Shtëpia ishte një nga banesat e vjetra të mbetura në Tiranë, çatia e së cilës ishte me qerpiç, gjë që ka bërë më të lehtë përhapjen e flakëve, së bashku me erën e fortë, e cila ka fryrë sot gjatë gjithë ditës.
Zona ku ndodhet dhe shtëpia e Stermasëve që mori flakë, pranë Pazarit të Ri, në krah të djathtë të rrugës Tefta Tashko Koço, ka dhe banesa të tjera private, të vjetra me çatinë me qerpiç, por flakët nuk i kanë rrezikuar ato.

