Rasti i Veliajt/ Si lexohet vendimi i Gjykatës së Lartë

Sot, Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili është arrestuar në shkurt të vitit 2025.

Rreth orës 14:00, një njoftim zyrtar ka ardhur nga Gjykata e Lartë ku thuhet se është lënë në fuqi vendimi numër 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025, i Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pra, Gjykata e Lartë ka marrë në SHQYRTIM vendimin e Gjykatës së Apelit të GJKKO-së dhe e ka lënë në fuqi.

E lexuar më thjeshtë. Ka pasur një seancë gjyqësore ku pas rekursit të bërë në Gjykatën e Lartë nga avokatët e zotit Veliaj, ata janë dëgjuar si palë në seancë me pretendimet e tyre, trupa gjykuese ka shqyrtuar dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe ka vendosur lënien në fuqi të vendimit.

Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim që nuk është shqyrtuar apo fjala “lënie në fuqi” thjesht nuk e kanë lexuar.

Lënie në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit të GJKKO do të thotë SHQYRTIMI i tij në seancë gjyqësore, dëgjimi i pretendimeve të avokatëve dhe vendimi që jepet nga Gjykata e Lartë.
Kemi të bëjmë me një VENDIM TË RI kundër Erion Veliajt.
Gjykata e Lartë kishte një opsion tjetër, i cili mund të ishte mospranimi i rekursit për shkak se rekursi nuk plotësonte kriteret ligjore, por jo.

Gjykata e ka marrë në shqyrtim rekursin, ka dëgjuar avokatët dhe ka vendosur.

Sot kemi të bëjmë me VENDIMIN E KATËRT nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri për Erion Veliajn.

Një shpresë e madhe me një vendim që qartëson fort dhe hedh poshtë zërat abuzues, shërbëtorët dhe mercenarët e Erion Veliajt se në Shqipëri lufta ndaj korrupsionit nuk është në nivelet më të larta.

Lufta ndaj korrupsionit me vendimin e Gjykatës së Lartë sot shkon në një hap tjetër dhe tregon se Gjyqësori mund të ketë integritet, trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë është për t'u falënderuar, megjithëse ata nuk kanë qenë në fakt pre e sulmeve, akuzave, shpifjeve apo fyerjeve si kolegët e tyre në nivelet e mëposhtme të Gjykatave.

Kujtojmë këtu sulmet banale ndaj gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili dha vendimin e Shkallës së Apelit, gjyqtarit Erjon Bani, i cili dha dy vendime rresht dhe sulmeve kriminale ndaj tij apo dhe prokurorit të çështjes, Ols Dado.

Gjithsesi, sot jemi përballë faktit që ka një VENDIM TË KATËRT kundër Erion Veliajt që e mban në burg dhe tashmë hapat që priten janë vazhdimi i hetimeve dhe çuarja nga prokurorët në gjykata e 13 akuzave, 9 për korrupsion, 1 për shpërdorim detyre, 1 për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, 1 për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe 1 për refuzimin për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe më pas duhet të pritet vendimi për të ecur në shkallët e tjera, për të finalizuar vendimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

Tashmë Erion Veliaj nuk do të mbahet në burg ashtu siç pretendohet, pa akuzë dhe vendime gjykatash. Të gjithë janë të qartë për tymnajat e ngritura se Erion Veliaj ka një vendim të katërt. Gjykata e Lartë e la në qeli dhe tani duhet të presë që prokurorët të çojnë çështjen në gjykatë për t'u shqyrtuar 13 akuzat ndaj tij.

Lënia në fuqi e vendimit të Apelit të GJKKO-së do të thotë CERTIFIKIM nga niveli më i lartë i gjykatave në Shqipëri i të gjitha vendimeve të dhëna që nga Shkalla e Parë që fillon me masën e sigurisë deri te vendimi i Apelit që e ka lënë Erion Veliajn në burg./ CNA