PL: Shqipëria po braktiset, duhet zgjim kombëtar
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë Arla Merja tha sot se Shqipëria po braktiset.
Sipas Merja “brenda pak vitesh kemi humbur qindra mijëra qytetarë të moshës aktive, që përbëjnë forcën e punës dhe shtyllën kurrizore të zhvillimit të vendit”.
“Midis viteve 2023 dhe 2024, popullsia në moshë pune ra nga 1,8 mln në 1,5 mln, një ulje drastike prej mbi 320 mijë vetash në vetëm një vit! Në vitin 2025, numri zbriti edhe më tej në 444 mijë më pak krahasuar me vitin 2012, që kishte numrin më të lartë të regjistruar”, u shpreh Merja.
Merja nënvizoi se “kjo nuk është thjesht statistikë është alarm kombëtar, është sinjali i shuarjes së Shqipërisë nga brenda”.
“Shqipëria mban lindshmërinë më të ulët në Ballkan, një tregues dramatik i mungesës së shpresës. Mosha mesatare rritet vazhdimisht, duke bërë që shoqëria të plaket para kohe dhe të rrezikohet vitaliteti i kombit. Shqipëria po shkon drejt një statusi ku shqiptarët janë minorancë në vendin e tyre, përballë flukseve të fuqisë punëtore të pakualifikuar që importohet nga Azia”, tha Merja.
Merja shtoi se “Shqipëria sot rrezikon të mos jetë më atdheu i shqiptarëve, por toka e filipinasve, nepalezëve, indianëve dhe bangladeshasve, ndërsa shqiptarët katandisen në pakicë në vendin e vet!”.
“Koha për ndërgjegjësim është tani, përpara se të jetë tepër vonë! Ky vend i përket shqiptarëve, dhe nuk do të lejojmë që fati i tij të shkruhet nga karnavalet politike dhe mashtruesit me kravatë. Duhet zgjim kombëtar, vizion i ri dhe politikë që vendos popullin në qendër”, u shpreh Merja.

