Britania ndalon marrëveshjet konfidenciale NDA: Pengojnë viktimat të denoncojnë ngacmimin dhe diskriminimin në punë
Qeveria britanike ka njoftuar ndalimin e përdorimit të marrëveshjeve të konfidencialitetit NDA që nuk i lejonin punonjësit të denonconin ngacmimet seksuale apo diskriminim në vendin e punës.
Dokumenti ligjor zakonisht përdoret për të ruajtur informacionet e brendshme midis punëdhënist dhe punëmarrësit, por janë kritikuar për keqpërdorim, sidomos në rastet e ngacmimeve seksuale, ku viktimat shpesh ndihen të detyruara të heshtin.
Zëvendëskryeministrja Angela Rayner e cilësoi vendimin si një hap të vonuar drejt drejtësisë dhe tha se është koha për ta hequr këtë praktikë, e cila për vite me radhë sipas saj ka mbrojtur abuzuesit dhe ka izoluar viktimat.
Ky zhvillim erdhi pas një fushate shumëvjeçare të nisur nga Zelda Perkins, ish-asistente e producentit të famshëm të Hollivudit, Harvey Weinstein.
Ajo e theu marrëveshjen e heshtjes për të denoncuar publikisht abuzimet seksuale të Weinstein, i cili më vonë u dënua për një sërë krimesh të rënda seksuale.
“Ky është një moment historik,” u shpreh Perkins, që tani udhëheq fushatën "Can’t Buy My Silence".
Raste të tjera të profilit të lartë që kanë ndezur debat për NDA përfshijnë edhe akuzat ndaj Mohamed Al Fayed, ish-pronarit të Harrods, i cili u akuzua për përdhunim dhe abuzim ndaj disa grave, ndërkohë që përdorte NDA për të shmangur publikimin e rasteve.
Nëse miratohet nga të dyja Dhomat e Parlamentit, ligji do ta vendosë Mbretërinë e Bashkuar në të njëjtën linjë me vende si Irlanda, SHBA-ja dhe disa provinca të Kanadasë.
Projektligji do të shqyrtohet në Dhomën e Lordëve më 14 korrik, përpara se të kalojë për miratim përfundimtar në Dhomën e Ulët.

