Antarktida rrezikon të shkrijë… për “faj” të Trump

Politikat e Trump rrezikojnë të shkrijnë Antarktidën, jo vetëm përmes ngrohjes globale, por edhe si një territor i mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik dhe ushtarak.

Mediat e huaja raportojnë se sinjali më alarmues i qasjes së re të Washingtonit ka ardhur disa javë më parë, kur National Science Foundation, agjencia kryesore shkencore e SHBA-ve që financon kërkimet në Arktik propozoi një shkurtim prej rreth 70% të fondeve për studimet polare.

Kjo tërheqje e Shteteve të Bashkuara po ngjall shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë dhe po ndiqet me vëmendje nga fuqitë rivale si Kina dhe Rusia, të cilat kërkojnë të shtojnë ndikimin e tyre në kontinentin e ngrirë.

Kjo situatë ishte në qendër të diskutimeve edhe gjatë Takimeve Konsultative të Traktatit të Antarktidës të mbajtura së fundmi në Milano.

Në këtë forum, ku u mblodhën përfaqësuesit e vendeve që nënshkruan Traktatin për ruajtjen e paqes dhe kërkimit shkencor në Antarktidë që në vitin 1959, shumë shkencëtarë amerikanë shprehën hapur shqetësimet për politikat e administratës Trump.

Sipas Bill Muntean, ish-kreu i delegacionit amerikan në këto takime, Shtetet e Bashkuara po pakësojnë gradualisht aktivitetin e tyre në kontinent, pavarësisht se nuk kanë mbyllur ndonjë stacion shkencor.

“Nuk po ndërtohen baza të reja, nuk po bëhen riparime dhe është reduktuar ndjeshëm kapaciteti logjistik”, shpjegoi ai për New York Times. Madje, sipas tij, ndërprerja e financimit për infrastrukturën do të ndikojë në modernizimin dhe zgjerimin e saj.