Ndërron jetë në moshën 94-vjeçare, ish-ministri britanik, Norman Tebbit

Norman Tebbit, ish-ministër i kabinetit konservator dhe një nga aleatët më të afërt të Margaret Thatcher, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur i biri, William Tebbit, i cili në një deklaratë zyrtare tha: “Në orën 23:15 të datës 7 korrik 2025, Lord Tebbit ndërroi jetë i qetë në shtëpinë e tij, në moshën 94-vjeçare. Familja kërkon që privatësia e tyre të respektohet në këtë kohë zie. Një njoftim i mëtejshëm për ceremoninë mortore do të jepet në vijim.”

Tebbit përfaqësoi zonat elektorale Epping dhe Chingford për 22 vjet si deputet konservator. Në vitin 1992, ai u nderua me titullin Lord Tebbit i Chingford-it, duke hyrë në Dhomën e Lordëve, nga ku u tërhoq në vitin 2022.

Gjatë karrierës së tij politike të gjatë, Tebbit mbajti disa poste të rëndësishme, duke përfshirë ato të sekretarit për punësimin, sekretarit për tregtinë dhe industrinë, kancelarit të Dukatit të Lancasterit dhe kryetarit të Partisë Konservatore.