Rastet e fruthit në SHBA arrijnë nivelin më të lartë në 33 vite, mbi 1.200 të infektuar në vetëm 5 ditë

Numri i rasteve të fruthit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 1,277 që nga e premtja, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 1990. Të dhënat e publikuara nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë për një përhapje të shpejtë të sëmundjes shumë ngjitëse, e cila dikur konsiderohej e eliminuar në SHBA.

Fruthi është përhapur në 38 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias, me 3 viktima dhe 155 persona të shtruar në spital. Sipas CDC-së, 92% e rasteve janë tek persona të pavaksinuar ose me status të panjohur vaksinimi. Teksasi është shteti më i prekur, me mbi 700 raste.

Përhapja është veçanërisht shqetësuese në komunitete me nivel të ulët vaksinimi, si ato menonite në Teksas. Shpërthimi vjen në një kohë kur ndjenjat kundër vaksinimit janë rritur në SHBA dhe vende të tjera.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse përhapja vazhdon për më shumë se 12 muaj, SHBA-të mund të humbasin statusin e eliminimit të fruthit. Si pasojë, ka pasur rritje të kërkesës për vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), me Teksasin që ka administruar mbi 173,000 doza deri më 16 mars.

Fruthi ka shkaktuar shqetësim edhe globalisht, me shpërthime të mëdha të raportuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, ku vetëm këtë vit janë konfirmuar mbi 3,000 raste.

Mjekët theksojnë se vaksina MMR është 97% efektive dhe mbetet masa më e sigurt për të parandaluar komplikacionet e rënda si pneumonia, ënjtja e trurit dhe vdekja.

Rastet e fruthit në SHBA arrijnë nivelin më të lartë